MURI I KALTËRT, DERA E KUQE
Prishtina sot i ka rreth 470 rrugë të identifikuara dhe të emëruara. Por, individualiteti i kryeqytetit nuk qëndron në atë që shkruhet në tabelat e rrugëve, po në referencat lokale dhe rregullat e pashkruara të orientimit disa që njihen e disa që duhet të hulumtohen.
Në Blue wall, red door, regjisorët Alban Muja dhe Yll Çitaku tregojnë se si rrugët e Prishtinës dokumentojnë historitë, ndryshimet ideologjike dhe politike, dhe ato demografike në Kosovën e pasluftës. Dokumentari tregohet nga Alban Muja, i cili interviston vozitës të taksive, zjarrëfikës, punonjës të ndihmës së shpejtë, postjerë dhe qytetarë të rastit. Udhëzimet e tyre për orientim dëshmojnë se njohuritë prapa ndryshimeve të emrave të rrugës janë udhërrëfyes të vet zhvillimit të Prishtinës.
Këto rregulla të pashkruara të orentimit janë menjëherë të qarta të gjithë i referohen objekteve, shtëpive të personaliteteve të njohura, si dhe restoraneve, hoteleve dhe shitoreve nëpër lagje. Kanë ndryshuar edhe pikat e dikurshme të referencës Rruga e Leninit nga të 70-at, sot njihet si Bulevardi i Klintonit, kurse ndërtesa që mban emrin e partizanëve shqiptar dhe serb Boro e Ramizi tani ka si referencë momentin më të ri historik monumenti Newborn që evidenton shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Pavarësisht se a kanë mbetur, janë zhdukur apo vetëm se kanë lindur, këto referenca shënojnë shtetin dhe popullin e tij. Edhe pse njerëzit nuk i njohin emrat zyrtar - madje as të rrugëve kryesore ose nganjëherë edhe adresat e vet lagjeve të tyre - referencimi është një zakon shoqëror që do të mbetet. Këtu mu lind e mu rritë [...] smunesh mi njoft adresat, se kërkush si përdor, thotë një taksist. Në fund, të zotërosh orientimin në Prishtinë varet se a je i informuar mbi ndryshimet politike dhe trendet shoqërore të qytetit.
Besa Luci
Kjo kritikë është realizuar në kuadër të projektit Film Journalism Workshop implementuar nga re:Public në bashkëpunim me DokuFest










