News

29 January 2010

"Out of Love" ne Roterdam

Pak ditë më  parë, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për filmat fitues të edicionit të 39-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Roterdam të Holandës, në kategorinë e Filmave të Shkurtër Evropianë u shpërblye filmi ‘Out of Love’ i Brigitte Staermose.
Premiera e filmit u shfaq në fund të vitit 2009, në Festivalin e filmit Dokumentar në Danimarkë, Copehagen DOX.  Këtyre diëve filmi do të shfaqet edhe në festivalin ndërkombëtar të filmit, në Berlinale ku njëjtë si në Kopenhagë dhe në Roterdam, do të garojë në kategorinë për  Filmat Dokumentarë të Shkurtër.

Ideja për këtë film i vjen regjisores në një nga vizitat e saj në Kosovë gjatë Dokufestit, në vitin 2006. Në vitin 2007 ajo rikthehet në Kosovë për të biseduar me disa fëmijë të rrugës, mes të cilëve në film intervistohen 11 fëmijë.

Është e rëndësishme të theksohet se një pjesë mjaft e madhe e ekipit realizues të filmit është nga Kosova: Kaltrina Krasniqi-asistente e regjisë, Gazmend Bajri-asistent kamere, Pëllumb Ballata-ton dhe Veton Nurkollari në kasting.

Filmi 30 minutësh "Out of Love", është dokumentari i parë i regjisores së filmit artistik Brigitte Staermose, fituese e shumëfishtë e çmimeve ndërkombëtare për film. Filmi flet për jetërat e fëmijëve të rrugës në Prishitnë të cilët bredhin nëpër restoranet dhe lokalet me atmosferë luksoze dhe i recitojnë monolegjet e jetërave të tyre dhe të sfidave me të cilat ata ballafaqohen.

“Out of love” është ndërtuar nga një përzierje e materialit dokumentues dhe nga monologje të trilluara për t’i portretizuar jetërat e këtyre fëmijëve dhe mënyrën se si ata e sigurojnë jetesën e tyre duke shitur cigare në rrugët e rrëpijëta të Prishtinës. 

“Nuk doja që filmi të flasë për situatat personale të fëmijëve dhe mbi të gjitha nuk doja  që të ndjeheshim keq për këta fëmijë. Ky film është një porces i gjetjes së rrugës përmes së cilës do të shmangeshim nga ndjenja e mëshirës për ta. Keqardhja është një mënyrë e lidhjes me ta-është mënyrë e mbrojtjes së vetëvetes. Natyrisht, unë ndjehem keq për ta sepse ata janë vikitma., por qëlimi i filmit tim nuk është ky. Unë doja që filmi të merrej me aspektet humane të asaj që po ndodh brenda këtyre fëmijëve”-thotë regjisorja.

Fëmijët qëllimisht nuk i përdorin fjalët e tyre për ato që duan t’i thonë para publikut dhe para kamerës. Monologjet e formuluara me një gjuhë pothuajse letrare nga dramaturgu danez Peter Asmussen i zbulojnë brengat dhe dhembjen e cila na informon për ekzistencën e tyre te  këta fëmijë.

“Monologjet gjithashtu ndihmojnë në shpartallimin e ndjenjës se fëmijët po i tregojnë rrëfimet e jetërave të tyre private. Asnjëherë nuk kam qenë e interesuar që ta prezantoj përvojën personale të ndonjë fëmiu në film. Ajo për të cilën kam qenë e interesuar ka qenë reflektimi i përvojës dhe situatave që këta fëmijë i ndajnë mes vete. Secili e tregon rrëfimin e tjetrit. Ata e ndajnë një histori dhe rrëfimet e tyre kanë shumë karakteristika të përbashkëta” – thotë Brigitte në një intervistë për Copehagen DOX. 

E pyetur se cila ka qenë pika fillestare nga ka lindur ideja për këtë film, Brigitte përgjegjet:

“Gjithnjë kam qenë e interesuar për gërshetimin e plleshëm mes fikcionit dhe dokumentarit. Unë jam një regjisore e filmit fiktiv që fascinohet me realitetin. Kur e vizitova Kosovën për herë të parë në vitin 2004, u magjepsa nga kualiteti i fshehur dhe i padukshëm i këtij vendi. Pos kësaj, aty janë edhe fytyrat e fëmijëve. Doja që publiku të përballej me realitetin dhe humanitetin e këtyre fëmijëve duke u përqëndruar në atë që është e padukshme –kujtimet e tyre dhe tregimet për dëshirat e tyre, për humbjet dhe për frikën e tyre.”

Brigitte Staermose është regjisore e pavarur nga Danimarka, vizitore e shumëfishtë  e Dokufestit, së pari me filmin e saj të shkurtë Sma Skred në  vitin 2004, pastaj si anëtare e jurisë në vitin 2005 dhe poashtu me filmin  Sophie në 2007. Njëherësh regjisorja ka mbajtur punëtori filmike në kuadër të Dokufestit. Në vitin 2009 ajo rikthehet në Kosovë për ta realizuar filmin dokumentar “Out of Love”.

Regjisorja është nominuar për  çmimin  UIP për filmin më të mirë të shkurtër europian në festivalin e Edinburgut në vitin 2003, me filmin e saj Sma Skred. Ajo është edhe fituese e çmimit Arte për filma të shkurtër me filmin e saj Sophie në vitin 2007. Në muajin mars, Brigitte nis gjirimin e filmit të saj të fundit- një film multi rrëfimësh sipas skriptës së skenaristit danez  Kim Fupz Aakeson. Ajo gjithashtu është në fazën përgatitore për gjirimin e filmit artistik të bazuar në dramën ‘Zonjusha Xhulia’ të August Strinberg me skenar të dramaturgut danez  Peter Asmussen me të cilin gjithashtu ka punuar edhe në filmin ‘Out of Love’ . Asmussen përndryshe ka punuar edhe në skenar të filmit “Breaking the Waves” nga Lars von Trier. 

Votimi pėrmes IPKO-s