02 Gusht 2010

STARTOJNË PROGRAMET SPECIALE NË DOKUFEST

Programi i rregullt i DokuFest 2010 nisi dje me shfaqjen e filmave nga programet speciale gjatë gjithë ditës. Këto filma i takojnë programeve speciale si: Spotlight Afghanistan që ka për temë luftën në Afganistan, Europe Next Door, program ky që trajton temën e integrimeve Europiane dhe çështjen e emigrantëve në Evropë, Cities on Speed, View from the World si dhe selekcionimi i filmave me temë të burrërisë nga Finlanda i cili përbën programin Made in për sivjet (Made in Finland).

Për ta shënuar hapjen e programit special Made In Finland, u organizua një koktel ku morën pjesë zyrtarë të ambasadës Finlandeze në Kosovë, filmbërës dhe anëtarë të jurisë  së edicionit të sivjetëm të festivalit si dhe zyrtarë komunalë, përfshirë këtu kryetarin e komunës së Prizrenit z. Ramadan Muja.

Poashtu gjatë ditës, në Hamamin e Gazi Mehmet Pashës, u mbajt punëtoria e filmit me regjisorin Christian Frei i cili në këtë festival e sjell filmin Space Tourist.

Në mbrëmje u shfaqën edhe pesë filma të shkurtër në konkurencë për Garën e filmit të shkurtër si dhe filmi A Blooming Business i cili garon për Green Dox.

Veçanti të programit të sotëm do të jenë: Paneli i diskutimeve me regjisorin më të madh të ish-Jugosllavisë, Zelimir Zilnik si dhe punëtoria për editim filmik me regjisorin e famshëm hungarez Marcel Ivany. Që të dyja do të mbahen në hamamin e Gazim Mehmet Pashës në Prizren.

Ndërkaq risi do të jetë edhe startimi i programit për fëmijë në kuadër të DokuKids, lancimi i programit special nga festivali i filmave të shkurtër gjerman Oberhausen on tour si dhe në mbrëmje do të shfaqen filmat garues në garën e filmave të shkurtër dhe filmat e garës për dokumentar ndërkombëtar.
 


kthehu te lista