29 Korrik 2010

DokuKids 2010

Në edicionin e dytë zyrtar DokuKids vjen me program të plotë filmash, programe speciale dhe punëtori alternative të filmit.

Programi për fëmijë i DokuKids ka të selektuar 10 filma në Garën Internacionale, mes tyre një dokumentar amerikan i Joe Rosenblatt ‘Beginning Filmmaking’ dhe nëntë animacione që vijnë nga Gjermania, Kroacia, Danimarka, Zvicra dhe Kanada.

Gara për Sorrën që tashmë është shndërruar në ngjarje tradicionale të këtij programi, edhe këtë vjet ka mbledhur një numër të madh videosh të prodhuara nga vetë fëmijët kosovarë të cilët kanë aplikuar për pjesëmarrje në këtë garë përmes web faqes zyrtare dokukids.com
Përveç filmave, DokuKids për pesë ditë me radhë servon punëtoritë e animacionit Animatori që vjet kanë rezultuar me interesim enorm të fëmijëve për pjesëmarrje.  Animatori ka në dispozicion 3 kuti të animacionit bashkë me tre tutorë, të cilët do të udhëheqin grupe fëmijësh në një proces që fillon me zhvillim të idesë, vizatim të tabelës së ngjarjeve, krijim të personazheve, regjistrim, dhe zërim të animacionit. Në fund secili fëmijë pjesëmarrës do të marrë me vete një CD me animacionin e krijuar në grup dhe të gjithë filmat do të shfaqen në ekranin e madh të DokuKids në ditën e fundit të festivalit.

Animatori zgjatë 5 ditë, ndërsa për pjesëmarrje duhet aplikuar në dokukids.com
Programi special ONE MINUTE Jr, përmbledhë 15 video 1 minuteshe me dëshirat, andrrat dhe brengat e disa fëmijëve që jetojnë në kampet e shpërndara rome në Kosovë.
Ky program special është rezultat i një punëtorie të përbashkët të UNICEF dhe DokuKids që ka bashkuar pesëmbëdhjetë të rinjë, shumica prej komuniteteve Rome, Ashkali, dhe Egjiptiane që jetojnë në Kosovë, për t’iu mësuar atyre aftësitë themelore për regji dhe përdorim të kamerës, tregimin e ngjarjeve, bashkëpunim, të menduarit në mënyrë kreative dhe pasqyrim të të menduarit. Secili pjesëmarrës, pasi që ka zhvilluar idenë, ka prodhuar një dokumentar 1 minutësh që do të prezantohet para audiencës këtë edicion.

Videot e ONE MINUTE Jr janë pjesëmarrëse bashkë me videot tjera në Garën Sorra Prize të këtij edicioni të DokuKids.



YOUTH PROGRAMME

Ndërkohë Youth Programme hap programin e saj të dielën me 1 gusht me Retrospektivën Blu të animatorit anonim të mureve.
Me një program të definuar mirë, DokuKids lë rehat Programin e të Rinjëve që sivjet ka një pjesëmarrje masive të filmave në Garën Internacionale. Me rrafsh 19 filma pjesëmarrës, Youth International Programme sivjet numëron 6 dokumentarë dhe 13 animacione dhe filma të shkurtër. Youth Programme që do të numërojë tre netë shfaqje filmash është krenar që në programin e vet ka dy filma në Garë për Oscars, janë këta dokumentari i shkurtë finlandez Lummiko nga Miia Tervo dhe animacioni Holandez RED-END and the Seemingly Symbiotic Society nga Bethany de Forest dhe Robin Noorda.

Kurse pjesë e këtij programi është edhe punëtoria DokuMenta që involvon 8 të rinjë të cilët për 5 ditë me rradhë do të krijojnë nga një film dokumentar duke ndjekur kështu të gjithë procesin që nis me zhvillim të idesë, vizatim të tabelës së ngjarjeve, xhirim, editim, dhe zërim. Tutorë të kësaj punëtorie janë portugezi Jose Biscaya dhe kosovarët Kreshnik Berisha, Yll Zymberi e Ilir Bajri, ndërsa ky aktivitet në tansi mundësohet nga Zyra Norvegjeze në Prishtinë. Të 8 dokumentarët e DokuMentës do të shfaqen të premten me 6 gusht në natën përmbyllëse të Programi të të Rinjëve.
Në tansi programi DokuKids dhe Youth Programme numërojnë 39 filma në Garën Internacionale, Garën Sorra Prize, Retrospektivën Blu, dhe dy punëtoritë alternative të filmit. Juria 2010 për programin Kids dhe Youth përbëhet nga fitueset e vitit të kaluar të Sorra Prize që janë Adea Grezda dhe Viona Bejtullahu si dhe dokumentaristja e re Nerxhivane Qazimi.

Të dy këto programe shfaqen çdo ditë nga 18:00 – 20:00 prej 1 deri 6 Gusht në Shkollën e Muzikës ‘Lorenc Antoni’ në Prizren, dhe përkrahen nga UNICEF dhe Zyra Norvegjeze në Prishtinë.
 


kthehu te lista