14 Korrik 2010

PROGRAMET SPECIALE NË DOKUFEST 2010

Dokufest-i, pos filmave në kategori garuese, sjellë 10 programe speciale ndër të cilat këtu po i veçojmë:
 
RETROSPEKTIVA E ŽELIMIR ŽILNIK-ut

Veçanti e Dokufest-it të sivjetëm do të jetë retrospektiva e filmbërësit të njohur të Jugosllavisë,  Želimir Žilnik.

11 filma duke i përfshirë këtu dokumentarët e shkurtër të karierës së tij të hershme, pjesën e parë të Trilogjisë Kenedi “Kenedi kthehet në shtëpi” si dhe filmin e fundit “Shkolla e vjetër e  Kapitalizmit” do të shfaqen si pjesë të retrospektivës së dedikuar këtij mjeshtri të filmit.
Želimir Žilnik, i lindur më 1942, i shkolluar për jurist, është me të vërtetë unik dhe ndoshta njëri nga filmbërësit më të rëndësishëm që kanë dalur nga Jugosllavia. Filmat e tij gjithnjë politikisht të vetëdijshëm, shoqërisht të angazhuar, të mprehtë dhe vizuelisht ekspresiv  kanë nxitur shumë kritikë dhe i kanë hapur Žilnik –ut mjaft probleme dhe përballje me forma të ndryshme të cenzurës si në vend ashtu edhe jashtë vendit.

Ai fillimisht ra në sy në Jugosllavi në mes të viteve të gjashtëdhjeta me një seri të dokumentarëve të shkurtër të cilët ofronin një  vështrim të pazbrapsur dhe natyralist mbi jetën e përditshme në ambientet rurale dhe gjysmë-urbane, gjë kjo e paparamendueshme përballë principeve vetë-glorifikuese të socializmit të cilat atëbotë aplikoheshin në arte e veçanërisht në kinema.
Ngritja e Žilnik-ut në skenën ndërkombëtare vjen me filmin e gjatë debutues Rani Radovi (Veprat e Hershme, 1969) i cili u shpërblye me çmimin prestigjioz Ariu i Artë për filmin më të mirë në Festivalin e Filmit në Berlin.

Ai është cilësuar si një nga paraardhësit dhe krijuesit e lëvizjes dikur famëkeqe e sot të famshme të quajtur Vala e Zezë e cila prodhoi disa nga shembujt më të përsosur të kinemasë Jugosllave.
Trilogjia Kenedi është ndoshta një ndër të arriturat më të rëndësishme dhe më intime kinematografike të Žilnik-ut.

Një grumbull Jugosllavësh të cilët e lëshuan vendin e tyre të shkapërderdhur në vitet e nëntëdhjeta dhe i kaluan rreth dhjetë vite në Evropën Perëndimore si refugjatë ose në azil.
Në gjysmën e dytë të vitit 2002, duke besuar se më nuk ka arsye që këta njerëz të qëndrojnë jashtë vendit të tyre, Unioni Europian nis t’i kthejë ata në Sërbi. Ndër ta shumica janë romë.
Familje të tëra deportoheshin brenda natës, pa marrë parasysh faktin se shumica e fëmijëve kishin lindur në perëndim, tanimë ishin integruar tërësisht në këtë ambient të ri dhe i flisnin gjuhët e këtyre vendeve më mirë se gjuhën e vet amëtare.

Protagonistët kryesorë të këtij tregimi johuman janë Kenedi Hasani – një endacak i këndshëm, mendjemprehtë, i shkathët dhe pothuajse patologjikisht optimist dhe shoku i tij dukshëm më i kultivuar dhe më i edukuar i cili e ka kaluar tërë jetën në Gjermani dhe tani është i detyruar që të rrëmojë nëpër qytetet baraka të Sërbisë në kërkim të prindërve të tij.

 

A WALL IS A SCREEN 


Transformimi i gurëve të kalldërëmit në karrika, i mureve në ekrane: A Ëall is a Screen (Një mur është  një ekran) kthehet në qytet.
Ashtu si në vitin 2008, grupi i aktivistëve të filmit të shkrutë nga Hamburgu i Gjermanisë do të projektojë filma të shkurtër nëpër muret e shtëpive në Prizren.

Hyrja është falas.
Turneu nis me 4 gusht, në orën 21:00 te Sheshi i Shadërvanit, ndryshe në qendër të festivalit. 



MADE IN FINLAND


Në kuadër të programit special Made In DokuFesti këtë vit prezenton kinematografinë Finlandeze me një program impresiv prej 17 filmave.
I përpiluar në bashkëpunim me Fondacionin për film të Finlandës, festivalin DocPoint nga Helsinki si dhe festivalin e filmit të shkurtë në Tampere programi sjell disa nga filmat më të suksesshëm të viteve të fundit.

Steam of Life, The Living Room of the Nation, Freetime Machos, Father to Son, A Hanasaari dhe Lumikko janë vetëm disa nga filmat të cilat do të shfaqen në Prizren gjatë DokuFest-it.

Realizimi i këtij programi është mundësuar nga Ambasada e Finlandës në Kosovë.

 

CITIES ON SPEED 


Një ndër programet speciale të Dokufest-it të sivjetëm është seria e dokumentarëve “Cities on Speed” i cili e përcjell rrugëtimin nëpër katër megaqytetet e botës: Shangai, Mumbai,Kairo dhe Bogota.

4 Dokumentarët marrin në fokus këndvështrime të ndryshme të banorëve të megaqyteteve, jetën, shpresat, ëndrrat dhe vizionet e tyre për të ardhmen. Njëkohësisht, dokumentarët e ekspozojnë dhe e hulumtojnë kompleksitetin e megaqytetve të shek XXI.

Dokumentarët pikëzohen në disa nga problemet kryesore që i karakterizojnë këto megaqytete:

Shanghai Space në regji të Nanna Frank Moller shtjellon rritjen abnormale të Shangait ku për çdo ditë ngritet nga një ndërtesë e re dhe chai-demolimi është një frazë e përditshme.

Mumbai disconnected në regji të Camilla Nielsson dhe Frederik Jacobi, si e quajnë edhe vetë autorët e filmit, është “Një komedi për infrastrukturën”, problemet shastisëse të transportit në “the city of no”pra në Mumbai.

Cairo Garbage nga Mikala Krogh dhe Sigrid Dyekjaer flet për qytetin i cili prodhon më së shumëti plehra në botë si dhe Bogota Change në regji të Andreas Mol Dalsgaard-që ka për temë kryeqytetin e Kolumbisë-Bogota’n e cila deri para njëzet vitësh ishte strofulla e krimit kurse sot është shndërruar në megaqytet model të planifikimit urban.


kthehu te lista