24 Korrik 2010

‘MBLEDHËSIT E PUPLAVE’ – Tribut për Bekim Fehmiun

Në kujtim të aktorit të madh Bekim Fehmiu, i cili vdiq para pak kohësh, DokuFest-i do ta organizojë shfaqjen speciale të kult filmit ‘MBLEDHËSIT E PUPLAVE” (SKUPLJAČI PERJA) në regji të Aleksandar Petrović  në të cilin Bekim Fehmiu luan rolin kreysor, atë të Beli Borës.

I lindur në Sarajevë me 1936 Fehmiu konsiderohet si njëri ndër aktorët më të mirë shqiptarë. Krahas një karriere të bujshme në filmat vendorë dhe ndërkombëtarë, Fehmiu luajti në mbi 40 shfaqje teatrale. Ai ishte aktori i parë nga Europa Lindore,i cili arriti të ketë role kryesore në Hollywood gjatë Luftës së Ftohtë, përkrahë legjendave të kinemasë, sikur Dirk Bogarde, Ava Gardner, Claudia Cardinale, Robert Shaw dhe Olivia de Havilland.

Libri i tij, "Blistavo i Strašno" (Shkëlqyeshëm dhe Tmerrshëm) botuar në 2001, përshkruan fëmijërinë e tij në Sarajevë, Shkodër dhe Prizren. 

Ky libër shënoi rikthimin e këtij aktori të njohur në jetën publike pas shumë vitesh mungesë. Ai ishte tërhequr nga jeta publike si  shenjë proteste kundër propagandës anti-shqiptare të asaj kohe. 

Bekim Fehmiu ishte i martuar me aktoren Branka Petriç, me të cilin ai ka jetuar ndërmjet Beogradit, Sarajevës dhe Prizrenit.

Filmi do të shfaqet me 31 korrik në orën 22:15  si pjesë e hapjes solemne te festivalit, në Kinemanë në Lum, duke shënuar simbolikisht lidhjen që aktori i ndjerë kishte me qytetin e tij të fëmijërisë, Prizrenin dhe Lumbardhin.


kthehu te lista